Anulohet transferimi i Dashmi Elezit në Gjeorgji, 18-vjeçari rikthehet te Shkëndija

Dashmir Elezi rikthehet te Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi i talentuar 18-vjeçar u transferua pak ditë më parë te gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit, megjithatë siç njoftojnë kuqezinjtë e Tetovës, gjithçka është anuluar tashmë.

Shkak është bërë situata familjare e të riut të talentuar, i cili në muajt e fundit ka humbur si gjyshin, ashtu edhe babanë e tij. Për shkak të gjendjes emocionale, e ka parë të arsyeshme të rikthehet në Tetovë, ku Shkëndija i ka hapur menjëherë derën.

Edhe gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit kanë mirëkuptuar situatën dhe i kanë dhënë mundësi Elezit të rikthehet pranë familjes. Tashmë sulmuesi do të veshë sërish fanellën kuqezi të Shkëndijës, me synimin për t’u rritur e ndihmuar edhe më shumë skuadrën.

Komunikata e Shkëndijës për rikthimin e Elezit

KF Shkëndija përmes kësaj komunikate i drejtohet opinionit për të sqaruar situatën e re të krijuar në lidhje me sulmuesin Dashmir Elezi.

Edhe pse me kërkesë të vetë futbollistit dhe familjes së tij, KF Shkëndija vendosi të mos pengojë dëshirën dhe pretendimet e lojtarit për tu transferuar jashta vendit. Kësisoj u pranua oferta e Torpedo Kutaisit dhe Elezit i’u aprovua transferimi në Gjeorgji.

Fatkeqësisht pas firmosjes dhe prezantimit me klubin e ri, duke ditur ndodhitë familjare të Dashmir Elezit (brenda një muaj humbi babain dhe gjyshin), 18-të vjeçari është gjetur në situatë të rënduar emocionale. Për këtë arsye, nga Torpedo Kutaisi i është dhënë leje që të kthehet në Tetovë për të vendosur me qetësi për të ardhmen.

Vendimi i futbollistit dhe familjes është se duke ditur ndodhitë familjare në këtë moment, transferimi jashta vendit ishte hap i shpejtuar dhe se në këtë periudhë Dashmiri ka nevojë të qëndrojë pranë të afërmve të tij.

KF Shkëndija sërish manifeston mirëkuptim dhe hap derën për Dashmir Elezin, i cili bashkohet me ekipin dhe do të jetë pjesë e jona edhe në periudhën që pason.

Prishtina mposht ekipin sllovak me rezultat minimal

Zyrtare: Malisheva përforcohet me talentin Redon Syla