Gjimshiti gati ta bëjë hapin e madh në karrierë, kërkohet nga gjiganti italian

Nuk është hera e parë, por nuk mund të jetë as e fundit. Milani po mendon seriozisht për Berat Gjimshitin.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane të cilat flasin për një këmbëngulje të drejtorit Maldini për shërbimet e mbrojtësit shqiptar. Interesi i “Djallit” ka ardhur në rritje, sidomos pas dëmtimit të Mohamed Simakanit që ishte objektivi i deklaruar për këtë merkato dimri.

Francezi i Strasburgut ka pësuar një dëmtim që do ta mbajë larg fushave për të paktën dy muaj dhe kjo ndërlikon ndjeshëm planet e Milanit për t’u përforcuar me mbrojtësin që së bashku me Kalulunë duhej t’i jepte frymëmarrje Romanjolit dhe Kjaerit.

TUNDIMI KUQEZI – Oferta e Milanit mund të joshë Gjimshitin që ka një kontratë deri në vitin 2023 me klubin aktual. Ai vlen 15 milionë euro, praktikisht e njëjta shumë që Maldini do të paguante për Simakanin. Kjo do të thotë që paratë nuk mungojnë, ndaj duhet gjetur akordi me homologët e Atalantës. Duhet thënë se mes palëve pas çështjeve Kaldara, Konti apo Kesi, ekziston një raport pozitiv, ndaj drejtuesit e “Djallit” kanë më shumë se një arsye për të tentuar afrimin e mbrojtësit të kombëtares së Shqipërisë. Për shkak të investimit, Gjimshiti do të ishte alternativa e parë për të zëvendësuar njërin mes Kjaerit dhe Romanjolit, por edhe prestigji i Milanit si klub mund të tundojë djaloshin e lindur në Zyrih për të tentuar hapin e madh në karrierë dhe mundësinë për të qenë pjesë e një klubi historik dhe me shumë ambicie.

NGURRIMI I ATALANTËS – Në fakt për Gjimshitin bien prej kohësh edhe sirenat holandeze të Ajaksit që gjithmonë ka pasur simpati. Ai është 27 vjeç dhe po përjeton sezonin më të mirë në karrierë tek Atalanta duke i dhënë vazhdimësi paraqitjeve fantastike të vitit të kaluar. Sivjet ai ka munguar vetëm në fitoren 4- 1 më 9 janar ndaj Beneventos teksa ka qenë një pikë kyçe në ndeshjet e kampionatit dhe Champions-it ku skuadra e tij është kualifikuar për turin me eliminim direkt. Pikërisht rrugëtimi europian mund të jetë një shkak shtysë për bergamaskët që të mos privohen nga shqiptari i cili jo vetëm që do të dobësonte prapavijën e “bandës” së Gasperinit, por njëkohësisht mund të përforconte një rival direkt si kuqezinjtë në luftën për katër vendet e para.